Prof. Dr. Agron Fico
Nju Jork, 26 korrik 2010
NJË LULISHTE POETIKE
(Nënë, Ti hije e kaltër prej loti - poezi nga Luigj Çekaj)
(Botuar tek gazeta “Illyria” 10-12 gusht 2010, f.37)
Një befasi e re krijuese artistike është vëllimi poetik i Luigj Çekaj “Nënë,Ti hije e kaltër prej loti” që sapo ka dalë nga botimi.
Luigj Çekaj nuk është thjesht poet, ai është magjistari lirik i shpirtit poetik. Në larminë e temave të vëllimit, kryet e vendit e zënë dy hime; himni për nënën, himni për krye-nënën, Atdheun. Lirizmi i poezive të tij kur merr krahët e epikës rrjedh si tinguj simfonie. Rrallëkush gjer sot nuk e ka shprehur kaq fort misionin atdhetar të poetit si Luigj Çelaj:
“More ç’dreq poet është ai poet,
Që shtizën e Flamurit të tij Kombëtar
Nuk provoi një herë ta ngulë
Edhe në gjoksin e poezisë së vet!”
(“Telefonata gjatë javës së Pavarësisë” f.21-22)
Jo vetëm titulli, por edhe poezitë kushtuar nënës dëshmojnë për temën kryesore të vëllimit. Për nënën është shkruar nga poetë të së kaluarës, shkruhet sot dhe do të shkruhet gjithmonë. Madje në poezinë popullore ka margaritarë poetikë kushtuar nënës, dashurisë për nënën, nderimin për të.
Poeti i madh gjerman Gëte diku ka shkruar se Plutarku pat thënë se grekët i nderonin nënat si hyjni. Pa hyrë në dialogim me poetin gjerman kam menduar dhe mendoj ndryshe. Historia dhe studimet, veçanërisht libri i Kadaresë “Eskili - ky humbës i madh” zbulon një të vërtetë të madhe se në periudhën pellazgjike, ndër popujt e gadishullit Ballkanik, ngjashmëria ka qenë veçanërisht e madhe te grekët e te shqiptarët”. (I.Kadare:’Eskili, ky humbës i madh”, 1990, f.19) Shqiptartët janë pra, ata që i nderojnë nënat si hyjni, si perëndi. Nënat shqiptare bashkë me qumështin e gjirit u japin fëmijve edhe dashurinë, ndershmërinë, qëndrueshmërinë, karakterin shqiptar, etj., pra u skalitin shpirtin njerëzor dhe liridashës.
Me dhjetëra e dhjetëra janë ninullat ku krahas përkëdheljes që nëna i bën fëmijës, gjen edhe mendime, këshilla dhe urtësi të nënës për të ardhmen e fëmijës. “Të rritesh e të bëhesh trim si Skënderbeu” është një krymotiv në ninullat e folklorit shqiptar.
Duket se ky nderim hyjnor për nënën ndrit në vargjet e Luigj Çekës, nderimi i kombit shqiptar për nënën shkrihet me figurën e veçantë të nënës së poetit.
Luigj Çekaj sjell një semantikë të re dhe origjinale për nënën. E adhuron si hyjni, perëndi, por edhe e nderon si pastore, këshilluese e përjetshme e tij. Edhe tashmë që është burrë e me fëmijë, nëna i gjendet pranë, e këshillon dhe e bekon.
Nëna poetike e Luigj Çekaj është nëna që e edukon, e mëson me shpirtin dhe fjalën e Zotit, me besimin e shenjtë. Poeti beson fort në ringjalljen e saj, ashtu siç ndodh me ringjalljen e Jezusit.
“Lidhjet e poetit me nënën -shkruan Gjekë Marinaj- janë aq të forta saqë kalimi i saj në pjesën infinite të jetës paraqitet si një fenomen simbolik, trishtues, i dhimshëm, por asnjëherë i shkëputur nga mundësia për të komunikuar shpirtërisht nëpërmjet vargjeve të poetit…” (f.7)
“...Vërtet mbi sytë e tu tani mund të belbëzojë bari,
Por mesazhi yt i bekuar më vjen krejt i kthjelltë te fyti.”
(Elegji për nënën, f.28)
Në një poezi tjetër e shtjellon më tej këtë ide:
“Nëna ime ka aftësi të shohë dhe për së vdekuri,
Të shohë barin kur mbin i thatë mbi kaos…”
( “Sytë e mbyllur të nënës”, f.38)
Dy vargje më tej tek e njëjta poezi, poeti na thotë;
“Me sytë e saj unë vazhdoj të shoh të gjithë popujt,
Netët e Krishtlindjeve dhe pushkatimin e Imre Nagit.”
(“Sytë e mbyllur të nënës”, f.38)
Mekanizmi poetik i Luigj Çekajt është kompleks dhe i gjerë. Ai është poeti dhe njëherësh qytetari. Tonet lirike marrin forcën e trumpetës kur poeti-qytetar flet për ngjarjet tragjike të 11 shtatorit 2001, sulmin mbi Kullat Binjake nga terroristët. “Ku befas kishin dhënë shpirt 2976 të vrarë...!” Dhimbja e poetit bëhet më e prekshme kur merr vesh se mdis këtyre viktimave ishte dhe Simoni, miku i tij:
“Nuk e dinin mjekët se më datën 11 shtator,
Mua më kishte zënë gjaku i rrënimit të Dy Kullave!
Dhe se brenda Kullave ish djegur gjallë një miku im,
Të cilit i kanë thënë Simon dhe është i familjes së Dedvukajve”
(“Ngjarje disi e papritur më datën 11 shtator”, f.58)
Poeti jeton në shoqërine re, në demokracinë amerikane, por zemra dhe mendja rreh fort për Atdheun e largët, Shqipërinë:
“Shqipëri, asgjë në botë veç nënës,
Nuk kam dashur më shumë se ty.
Ti me frymën tënde më ke kthyer në qënie ajri.
Ti me duart e tua më ke bërë njeri,
Gjërat unë i ndjej thellë në shpirt…”
(“Motivi im më i dashur - motivi për Shqipërinë”, f.19
Lirika e poetit Luigj Çekaj është meditative. Përsiatjet janë jo thjesht nocione publicistike-politike, por darë dhe çekanë poetikë ndaj një regjimi të pashpirt, të egër, regjimit totalitarist-komunist.
“Statujat e diktatorëve nuk qëndrojnë mbi piedestale.
Ato janë ngulur si shpata në gjokset e njerëzve të pafaj.”
(“Statujat e diktatorëve”, f.27)
Ka disa dashuri në radarin poetik të Luigj Çekajt: kryesore është dashuria gjer në adhurim për nënën, një dashuri tjetër është për gruan, Violetën:
“...Duke zgjedhur mes tri vajzave ty dhe vetëm ty,
Bukurinë si në ADN ta kam përshtatur deri te fëmijët”
(“Të tria vajzave që kam dashur u ka filluar emri me “V”, f.81)
Por ende ruan mall për mikeshën “sykaltër” dhe “flokëverdhë”!
Dhe nuk harron as “shejtankën shkodrane”:
“Unë gjezdis botën si emigrant
Ti gjithmonë, si zonjushë Shkodret.”
(“Shtegtim cigan”, f.76)
Vëllimi i ri i poetit Luigj Çekaj, është një arritje për autorin, është edhe një pasurim, një kontribut për vetë gjininë e poezisë në këtë dekadë të shekullit XXI. Poeti shquhet për sinqeritetin krijues, hovet poetike dhe figuracionin original. Ja një shembull, midis sa e sa të tilla:
“Fëmijëria e nënës, xhubleta e bardhë e vajzërisë,
Dalë prej trupit të deles për t’u shtypur me potkoj.
Njomëz e veshur me tirk pasthirrmash:
Oj, oj, oooj!”
(“Fminia e nënës”, f.23)
Ja dhe një tjetër , natyra në vjeshtë:
“…Në fund të horizontit ca karvanë resh,
Drejt veriut u zhvendosën lehtazi si të veshur me sandale,
Hëna si një thundër kali shfaqet aty ketu,
Duke çaluar me rëndesë nëpër plazhe…”
(“Shpirti i vjeshtës”, f.60
Poeti ka një peng, pengu i mosngritjes së një statuje për nënën: “Në këtë fund shekulli veçanërisht të vonuar/ Prisja së paku një statujë për ty...” (“Nënë, ti hije e kaltër prej loti”, f.17)
Ky vëllim dhe gjithë universi poetik i poetit të talentuar Luigj Çelaj është statuja më e madhe, më e bukur dhe më e përjetshme që ka ngritur për nënën.
Lexuesi jo vetëm ka një kënaqësi estetike dhe intelektuale, por edhe gëzohet që poeti e ka kapërcyer sagën e mundimeve spitalore që ka kaluar dhe ka krijuar vargje poetike plot dritë, dashuri dhe forcë jetike.
No comments:
Post a Comment